Policia e Kosovës sekuestron armë dhe municion në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në veri të vendit, duke gjetur një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni në një shtëpi të braktisur në lagjen Bërxhane, Mitrovicë e Veriut, pas informatave të dhëna nga qytetarët.
Në vendngjarje nuk ka pasur të arrestuar. Pas gjetjes së materialit të rrezikshëm eksplodues, në aksion u përfshi edhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME), e cila ka tërhequr nga vendi i ngjarjes barutin, fishekët e kalibrave 12.7 mm dhe 20 mm, si dhe një minë kundër këmbësorik me detonator.
Gjatë aksionit u sekuestruan:
Një karikator i zbrazët për armë të gjata
Një bajonet
Shishe plastike e mbushur me saqme
Kapsula për fishekë
Sasi e barutit
Një rryp brezi ushtarak
Një minë kundër këmbësorik me detonator
Pjesë për mbushje të fishekëve
Targa të automjetit të ish-Milicisë
Tre fishekë të armës së gjuetisë
Trembëdhjetë fishekë të kalibrave të ndryshëm
Dy fishekë të kalibrit 12.7 mm
Dy fishekë të kalibrit 20 mm
Dy gëzhoja të kalibrit 12.7 mm
Një xhaketë ushtarake dimërore
Një palë doreza ushtarake
Katër këmisha të Policisë së Serbisë
Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe ka urdhëruar iniciimin e hetimeve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Rasti mbetet nën hetime, ndërsa Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë në numrin emergjent 192.
