Kurti: Kemi gatishmëri ta çojmë FSK-në në Gaza

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për herë të parë për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, një iniciativë që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar interesimin e Kosovës për të kontribuar në misione ndërkombëtare të paqes.

Pa përmendur nënshkrimin e Kartës së Bordit të Paqes nga presidentja Vjosa Osmani, i cili u realizua në një ceremoni të udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump, Kurti deklaroi se Kosova ka shprehur gatishmëri që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të ketë rol aktiv në Gaza, në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për stabilizim.

Sipas tij, Kosova tashmë ka marrë pjesë në proceset fillestare të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, duke u përfaqësuar në një konferencë të mbajtur në Doha të Katarit.

“Kemi shprehur gatishmërinë tonë për të kontribuar aty ku FSK-ja është e mirënjohur, veçanërisht në fushën e kërkim-shpëtimit dhe deminimit. Po ashtu, kemi shprehur interesim për pjesëmarrje në organet vendimmarrëse politike të kësaj force. Procesi do të vazhdojë më tutje”, tha Kurti.

Këto deklarata ai i bëri pas një takimi me përfaqësues të Odës së Mjekëve të Kosovës, duke rikujtuar se aktualisht ushtron detyrën e kryeministrit pa një mandat të plotë.

“Jam kryeministër në detyrë dhe ende jo në mandatin tim të tretë. Megjithatë, Kosova dëshiron të kontribuojë për vendosjen e paqes kudo që ka nevojë, pasi edhe vetë ka qenë përfituese e paqes përmes forcave ndërkombëtare në vendin tonë”, u shpreh ai.

Kurti përmendi gjithashtu ndihmën financiare prej 500 mijë eurosh të dërguar për Gazën, duke theksuar se mbështetja e Kosovës në këtë drejtim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

About The Author

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *