KQZ përfundon rinumërimin e votave në të gjithë Kosovën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur procesi i rinumërimit të fletëvotimeve në gjithsej 2,557 vendvotime, ku procesi i votimit është zhvilluar më 28 dhjetor 2025.
Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte planifikuar rinumërimi i plotë i vendvotimeve në 10 komuna, përfshirë Dragashin, Kaçanikun, Leposaviqin, Prizrenin, Skënderajn, Shtimen, Ferizajn, Vushtrrinë, Mamushën dhe Ranillugun. Ndërkohë, në 28 komunat e tjera ishte paraparë rinumërimi i 10 për qind të vendvotimeve.
Pas një vendimi të dytë të marrë më 19 janar 2026, KQZ ka zgjeruar procesin e rinumërimit edhe në vendvotime të tjera të këtyre komunave, duke përfshirë të gjitha rastet e nevojshme për verifikim shtesë.
KQZ ka bërë të ditur se këto vendime janë marrë me qëllim të garantimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës të pasqyrohet në mënyrë të saktë, ashtu siç është shprehur në fletëvotime.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhje të shtunën në orën 10:00, ku në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
