KQZ shpall rezultatet përfundimtare: Vetëvendosje fiton zgjedhjet me 51.10%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025 për Kuvendin e Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, anëtarët e KQZ-së kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha subjekteve politike, me përjashtim të Listës Serbe. Tre anëtarë kanë votuar pro, dy kundër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa anëtarët e tjerë kanë abstenuar.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka prezantuar shpërndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës sipas rezultateve përfundimtare. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind të votave, duke siguruar gjashtë ulëse.
Sa i përket ulëseve të rezervuara për komunitetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, ndërsa një ulëse i ka takuar Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Gjatë diskutimeve në mbledhje, çështja e KTDP-së u ngrit nga anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili deklaroi se zgjedhja e dy kandidatëve për deputet nga ky subjekt është e jashtëligjshme dhe se nuk do ta votojë këtë vendim.
Në reagim, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se kjo çështje është diskutuar edhe më herët dhe se palët kanë të drejtë ankese pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.
“Sipas ligjit dhe praktikës së Gjykatës Kushtetuese, bëhet fjalë për dy ulëse ku në Kuvend duhet të plotësohet kuota gjinore. Kjo çështje është trajtuar edhe në një vendim të mëhershëm të Kushtetueses. Propozoj që pas shpalljes së rezultateve, kjo çështje të adresohet përmes ankesës, ndërsa pjesa tjetër i mbetet KTDP-së në PZAP”, ka deklaruar Radoniqi.
