Gjykata e Apelit rikthen në rigjykim rastin e Glauk Konjufcës për gazin lotsjellës

Gjykata e Apelit e Kosovës ka marrë vendim për anulimin e aktgjykimit lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke e kthyer çështjen për rigjykim.

Vendimi i Apelit lidhet me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, për të cilin Konjufca ishte shpallur i pafajshëm më 26 shkurt 2024. Themelorja kishte arsyetuar se nuk ishte provuar kryerja e veprës penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” kishte konstatuar parashkrim të ndjekjes penale.

Pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila kërkonte ndryshimin e aktgjykimit ose kthimin e çështjes në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Apeli ka vlerësuar se ankesa është e bazuar.

Në aktvendimin e marrë më 27 shkurt 2025, Gjykata e Apelit konstaton se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, si dhe shkelje të Ligjit Penal, të cilat e bëjnë vendimin juridikisht të paqëndrueshëm.

Sipas kolegjit gjykues, Themelorja nuk ka vlerësuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë provat e administruara, duke mos sqaruar bindshëm se cilave prova u ka dhënë besim dhe cilat i ka hedhur poshtë. Po ashtu, është vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka dështuar të analizojë provat në ndërlidhje me njëra-tjetrën.

Apeli thekson se, përveç dëshmive të dëshmitarëve, në dosje ekzistojnë edhe prova materiale, si dhe deklarimi i vetë të akuzuarit në Prokurori, ku ai ka pranuar përdorimin e gazit lotsjellës, ndonëse ka mohuar që ta konsiderojë atë armë. Në vendim përmendet edhe procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur më 10 gusht 2016, ku konstatohet se gjatë diskutimeve Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës, duke pamundësuar vazhdimin e mbledhjes.

Në këto rrethana, Gjykata e Apelit ka vendosur që çështja të kthehet në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila obligohet të riadministrojë të gjitha provat, t’i vlerësojë ato në mënyrë meritore dhe të nxjerrë një vendim të ligjshëm dhe të arsyetuar.

Sa i përket pjesës së aktgjykimit që lidhet me refuzimin e akuzës për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, Apeli thekson se kjo pjesë mbetet e pandryshuar, pasi nuk ka qenë objekt ankese nga prokuroria.

Avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se ende nuk e kanë pranuar vendimin e Apelit dhe për këtë arsye nuk ka dhënë koment.

Rasti ndaj Glauk Konjufcës lidhet me ngjarjet e 10 gushtit 2016, kur gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës u hodh gaz lotsjellës në sallë, çka çoi në ndërprerjen e seancës. Prokuroria e kishte akuzuar Konjufcën për dy vepra penale, nga të cilat njëra mbetet objekt i rigjykimit.

About The Author

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *