Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, historia nuk mund të rishkruhet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënime prej nga 45 vjet burgim për secilin nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Osmani ka theksuar se çdo tentativë për ta vënë në të njëjtin nivel luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e kryera nga shteti serb përbën një goditje serioze ndaj besimit në drejtësi dhe dëmton perspektivën e paqes afatgjatë.
Ajo ka nënvizuar se Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi, duke ritheksuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, si përgjigje ndaj represionit dhe dhunës sistematike.
Sipas presidentes, përpjekjet për të rishkruar historinë apo për të njollosur sakrificën e popullit të Kosovës nuk mund ta ndryshojnë të vërtetën historike të luftës për liri.
Osmani ka theksuar se Pavarësia e Kosovës është rezultat i vullnetit të qytetarëve dhe i një sakrifice shekullore, për të cilën jetën e dhanë mijëra dëshmorë dhe civilë të pafajshëm, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi me guxim dhe në mënyrë të drejtë.
Në reagimin e saj, ajo ka kujtuar se gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë kryer nga Serbia ndaj popullit të Kosovës, veçanërisht gjatë luftës së fundit, kur sipas saj, qëllimi ishte shfarosja e shqiptarëve përmes vrasjeve masive, masakrave, dhunimeve, dëbimeve të detyruara, shkatërrimit të pronës dhe zhdukjes së mijëra personave.
