Këtë vit zhvillohet ushtrimi i parë i përbashkët ushtarak Shqipëri-Kosovë-Kroaci

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se gjatë këtij viti pritet të realizohet një ushtrim i përbashkët mes ushtrive të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, i cili do të zhvillohet së shpejti në Kroaci.
Ai tha se dje kishte një takim me ministrin Pirro Vengo dhe ministrin Anushiq, pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë në fushën e mbrojtjes. Maqedonci theksoi se vitin e kaluar tri vendet nënshkruan një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim trilateral, e cila vazhdon me diskutime për shumë fusha të mbrojtjes.
“Diskutuam gjithashtu mundësitë për bashkëinvestime dhe bashkëprodhim në industrinë e mbrojtjes, duke përfshirë pajisje ushtarake, municione dhe automjete ushtarake, që mund të shfrytëzohen si një aset i përbashkët i tri vendeve,” shtoi ai në RTK.
Sipas Maqedoncit, takimi i shefave të mbrojtjes në Shkodër disa ditë më parë ishte vlerësuar lartë dhe u dakordua edhe për këtë ushtrim të përbashkët.
