Vuçiq reagon ndaj thirrjes së Kurtit për gjykatë ndërkombëtare për “Sarajevo Safari”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar me tone akuzuese ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas thirrjes së tij për krijimin e një gjykate ndërkombëtare që do të hetonte krimet e njohura si “Sarajevo Safari”, të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës në fillim të viteve ’90.

Vuçiq shmangu thelbin e kërkesës për hetim dhe e lidhin çështjen me pretendime territoriale dhe “Shtëpinë e Verdhë”, duke e paraqitur Prishtinën si të nxituar dhe të shqetësuar për tema të tjera politike. Kurti, nga ana e tij, ka theksuar se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar si vend për trafikim organesh dhe e konsideron këtë pjesë të narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë.

Gazetari kroat, Domatoj Margetiq, ka publikuar dokumente dhe intervista që e lidhin Vuçiqin me ashtuquajturin “Sarajevo Safari”. Një dëshmitar, Aleksandar Liçanin, ka deklaruar se ka parë drejtpërdrejt vrasjen e civilëve në Sarajevë dhe organizimin e “turistëve snajperë”, ku sipas tij, Vuçiq dhe të tjerë kishin rol në koordinimin e operacioneve.

Dokumentet e publikuara tregojnë udhëzime për përdorimin e pozicioneve snajperike në zonën e Novo Sarajevës dhe për mbikëqyrjen e vizitorëve të huaj nga vetë Vuçiqi dhe persona të tjerë të njësisë. Sipas Margetiq, këto prova lidhnin direkt Vuçiqin me strukturat çetnike gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Debati mbi krijimin e gjykatës ndërkombëtare për hetimin e krimeve të luftës është mbështetur nga disa akademikë dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët theksojnë rëndësinë e drejtësisë tranzicionale dhe pajtimit rajonal. Ndërsa reagimi i Vuçiqit shihet si një përpjekje për të relativizuar krimet e luftës dhe për të zhvendosur fokusin nga përgjegjësia historike drejt polemikave politike aktuale.

About The Author

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *