Kosova dhe Ballkani Perëndimor në fokus të NATO, paralajmërim për kërcënimin nga Rusia

Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe roli i misionit të NATO mbeten ndër prioritetet kryesore strategjike të Aleancës, sipas raportit të fundit vjetor të prezantuar në Bruksel nga Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte.
Raporti, i cili përmbledh aktivitetet e NATO-s gjatë vitit të kaluar, vë theks të veçantë në mbështetjen e vazhdueshme për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky proces, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, konsiderohet vendimtar për arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjatë në rajon.
Në dokument theksohet se NATO mbetet e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, duke e parë këtë si një element kyç për stabilitetin rajonal. Ndërkohë, përmes misionit paqeruajtës KFOR, Aleanca vazhdon të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Raporti trajton gjithashtu sfidat kryesore të sigurisë, duke identifikuar Rusia si kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë për hapësirën euroatlantike. Sipas vlerësimit, gjatë vitit të kaluar Rusia ka intensifikuar aktivitetet destabilizuese, përfshirë shkeljet e hapësirës ajrore, sulmet kibernetike, sabotimet dhe ndërhyrjet politike.
Si përgjigje ndaj këtyre zhvillimeve, NATO ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje. Sipas Rutte, shpenzimet janë rritur me rreth 20 për qind, duke reflektuar përkushtimin e vendeve anëtare për të arritur objektivin e ri prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
Megjithatë, raporti paralajmëron se në rast të një përshkallëzimi të mundshëm, infrastruktura energjetike mund të jetë ndër objektivat kryesore të sulmeve. Pavarësisht kësaj, NATO garanton se është plotësisht e përgatitur për të mbrojtur çdo vend anëtar dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.
Në tërësi, raporti riafirmon rëndësinë strategjike që i kushtohet Ballkanit Perëndimor dhe rolin kyç të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, duke e vendosur dialogun Kosovë–Serbi në qendër të përpjekjeve ndërkombëtare.
