Albin Kurti përkujton 26-vjetorin e spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 26 vjetorin e fillimit të spastrimit etnik të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës, natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000. Ai rikujtoi se mijëra shqiptarë u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre nga strukturat policore dhe grupet paraushtarake të shtetit të Serbisë, duke lënë pas të vrarë, të plagosur dhe të zhvendosur me forcë qytetarë të pafajshëm.
Kurti theksoi se drejtësia për viktimat dhe rehabilitimi i të dëmtuarve mbeten proces i gjatë institucional dhe shoqëror. Ai përkujtoi gjithashtu emrat e dhjetë shqiptarëve të vrarë atë natë, nga mosha 13 deri në 65 vjeç.
Sipas Kurtit, vetëm gjatë katër viteve të fundit, mbi 150 shtëpi janë rindërtuar në katër komunat veriore, duke mundësuar kthimin e mijëra banorëve të dëbuar. Sot, qyteti i Mitrovicës banohet lirshëm nga të gjithë qytetarët kosovarë, pa dallime etnike, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë dhe institucioneve lokale për drejtësi, barazi dhe sundim të ligjit.
“Populli dhe shteti i Kosovës nuk harron asgjë dhe askënd. Sot i kujtojmë të rënët, mbështesim të plagosurit dhe të dëbuarit, për drejtësi, për paqe dhe për ardhmërinë e vendit”, tha Kurti.
