Arianit Koci paralajmëron protestë gjithëpopullore kundër shtrenjtimit të rrymës

Avokati Arianit Koci ka shprehur gatishmëri për organizimin e një proteste gjithëpopullore, pas kërkesës së kompanisë KESCO për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Në një reagim në Facebook, Koci ka bërë të ditur se ka pranuar dhjetëra mesazhe nga qytetarë të cilët shprehin gatishmëri për t’iu bashkuar një proteste të tillë, duke theksuar se situata aktuale është bërë e padurueshme për shumë familje.
Sipas tij, shtrenjtimi i rrymës në kushtet e varfërisë dhe mungesës së perspektivës për qytetarët përbën një barrë shtesë, ndërsa akuzoi si pozitën ashtu edhe opozitën për mungesë reagimi ndaj problemeve reale të qytetarëve.
Koci ka paralajmëruar se protesta do të organizohet me kërkesa të qarta, afate të përcaktuara dhe përgjegjësi konkrete, duke theksuar se çdo veprim do të zhvillohet në mënyrë të organizuar dhe brenda kornizës ligjore.
Ai ka vendosur si kusht për nisjen e organizimit sigurimin e 50 mijë reagimeve në postimin e tij në rrjetet sociale.
“Nëse arrihen 50 mijë reagime, nisemi menjëherë me organizimin e protestës dhe shpalljen e kërkesave. Në të kundërtën, do të presim derisa të krijohet një mbështetje e mjaftueshme qytetare”, ka shkruar Koci.
