Bahamasi heq vizat për Kosovën

Kosova dhe Bahamasi kanë nënshkruar një marrëveshje për heqjen reciproke të vizave, duke mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve.
Kjo u bë e ditur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi se pas njohjes së Kosovës nga Bahamasi dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në dhjetor, ky ishte hapi i radhës për forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve.
“Marrëveshja dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin”, tha Osmani.
Marrëveshja do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe Bahamasit, duke përforcuar lidhjet ekonomike, kulturore dhe diplomatike mes dy vendeve.
Më 19 dhjetor, Bahamasi u bë shteti i 121 që njohu pavarësinë e Kosovës. Bahamasi është një ishull në Karaibe me rreth 400 mijë banorë.
