Bekim Jashari reagon ndaj kërkesës së Hagës për ish-krerët e UÇK-së

Bekim Jashari ka reaguar ashpër pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë që katër ish-krerët e UÇK-së — Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi — të dënohen me nga 45 vjet burg secili.

Në reagimin e tij, Jashari ka thënë se këto kërkesa i konsideron të rrezikshme dhe se po i ndjek me shqetësim të thellë. Sipas tij, faktet dhe argumentet janë në anën e Kosovës, gjë që, siç thekson ai, është dëshmuar edhe nga mbështetja ndërkombëtare që ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë pasur gjatë proceseve gjyqësore në Hagë.

Ai ka nënvizuar se historia e luftës në Kosovë është e qartë dhe se përgjegjësia për krimet i takon vetëm Serbisë. Jashari ka përmendur krimet e rënda të kryera gjatë luftës, duke theksuar se autorët e tyre vazhdojnë të jenë të lirë, pavarësisht mijëra viktimave, masakrave ndaj civilëve, dëbimeve masive dhe dhunës seksuale të ushtruar ndaj grave e vajzave shqiptare.

Sipas Bekim Jasharit, drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë barazimin e viktimës me agresorin. Ai ka theksuar se askush nuk mund të dënohet në emër të popullit të Kosovës, duke shtuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte vullnet dhe shprehje e vetë popullit.

“Në Kosovë kishte vetëm një palë që kishte bërë krime, madje makabre, ajo është Serbia, kriminelët e së cilës shëtisin të lirë, ani pse kanë vrarë më shumë se 10.000 shqiptarë, mbi 100 masakra janë kryer ndaj civilëve, përfshirë fëmijë dhe pleq, rreth 1 milion njerëz janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, mbi 20.000 gra e vajza kanë përjetuar dhunë seksuale, vetëm pse ishin shqiptarë dhe vetëm pse nuk duronin më të jetonin në robëri. Drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që viktima të barazohet me agresorin. Andaj kjo gjykatë nuk mund të dënojë askënd në emër të këtij populli, sepse ky popull e krijoi UÇK-në, UÇK-ja është vetë populli”, ka shkruar Jashari në reagimin e tij në Facebook.

About The Author

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *