Beshiktash konfirmon huazimin e Kristjan Asllanit nga Interi

Klubi turk Beshiktash ka zyrtarizuar huazimin e mesfushorit shqiptar Kristjan Asllani nga Interi, me një marrëveshje që vlen deri në fund të sezonit 2025/26 dhe që përfshin edhe një opsion blerjeje.
Asllani, i cili ishte pjesë e Interit, ka vendosur të ndryshojë ambient për të siguruar më shumë minuta në fushë dhe rol më të rëndësishëm në ekip. Pas interesimit të disa klubeve, Beshiktashi ka arritur ta bindë mesfushorin shqiptar që të vazhdojë karrierën në kampionatin turk.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, klubi nga Stambolli ka konfirmuar marrëveshjen me Interin, duke prezantuar Asllanin si përforcimin më të ri të skuadrës bardhezi.
“Mirë se vjen Kristjan Asllani te Beshiktash. Marrëveshja është arritur me Interin për huazimin e futbollistit deri në fund të sezonit 2025/26. Sipas marrëveshjes, ekziston një opsion blerjeje nga klubi. I urojmë suksese Kristjan Asllanit në uniformën tonë”, thuhet në njoftimin e klubit turk.
Kristjan Asllani pritet të jetë një pjesë e rëndësishme e mesfushës së Beshiktashit, duke sjellë cilësi në organizimin e lojës dhe përvojë nga Serie A. Transferimi i tij shihet si një hap i rëndësishëm për vazhdimësinë e karrierës së mesfushorit shqiptar, i cili synon të rikthehet në formën më të mirë dhe të ketë rol kyç edhe me Kombëtaren.
Sezoni i ri pritet të jetë një mundësi e re për Asllanin, i cili do të kërkojë të dëshmojë vlerat e tij në një kampionat konkurrues si ai turk.
