SHBA dislokojnë forca të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme, Trump nuk përjashton sulme ndaj Iranit

SHBA dislokojnë forca të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme, Trump nuk përjashton sulme ndaj Iranit
Shtetet e Bashkuara po rrisin praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dislokuar aeroplanë luftarakë, sisteme mbrojtjeje ajrore dhe aeroplanmbajtës me mijëra trupa. Ky grumbullim ka nxitur shqetësime lidhur me mundësinë e veprimeve ushtarake kundër Iranit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi më parë për sulme të mundshme, pas shtypjes së dhunshme të protestave antiqeveritare në Iran, që sipas organizatave për të drejtat e njeriut shkaktuan mijëra viktima. Megjithatë, ai ka theksuar së fundi se ende shpreson të shmangë një përplasje direkte, por nuk përjashton mundësinë e veprimeve ushtarake.
Ekspertët vlerësojnë se grumbullimi i forcave amerikane dhe stërvitjet që po zhvillohen në rajon rrisin presionin ndaj Teheranit dhe ofrojnë SHBA-së opsione të shumta sulmuese. Aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln, së bashku me tri luftanije sulmuese, janë nisur drejt Lindjes së Mesme, duke bartur mbi 5.000 trupa. Në rajon janë dislokuar gjithashtu aeroplanë F-15E Strike Eagle.
Forcat Ajrore të SHBA-së po zhvillojnë një stërvitje disa-ditore për të testuar kapacitetin e tyre për të dislokuar dhe mbajtur fuqinë ajrore në rajon. Aktiviteti ngjason me atë të vitit të kaluar, kur pas vendosjes së forcave amerikane u zhvilluan sulme ajrore në objektet bërthamore të Iranit nga Izraeli dhe SHBA.
Nga ana e tyre, forcat elitare iraniane të Gardës Revolucionare kanë rritur gatishmërinë dhe kanë bërë thirrje për mbështetje ndaj grupimeve të armatosura në Irak, Liban dhe Jemen. Ekspertët paralajmërojnë se çdo veprim ushtarak i SHBA-së kundër Iranit mbart rreziqe të mëdha, përfshirë hakmarrjen ndaj bazave amerikane dhe sulme ndaj transportit detar në Gjirin Persik.
Shtetet rajonale po ushtrojnë presion për përmbajtje, duke theksuar se një konflikt SHBA-Iran mund të përhapet në të gjithë rajonin. Analistët ushtarakë vlerësojnë se një fushatë ajrore e vetme nuk do të arrinte ndryshimin e regjimit, ndërsa një pushtim tokësor konsiderohet praktikisht i pamundur.
