Djegia e Kuranit në Gjakovë, Reagon Bashkësia Islame

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar me tone të ashpra pas djegies dhe përdhosjes së Kuranit të Shenjtë në zonën e Çabratit në Gjakovë, duke e cilësuar këtë veprim si vandal, kriminal dhe thellësisht shqetësues. Ai tha se është i tronditur nga akti, i cili sipas tij nuk është i rastësishëm, por i kryer me qëllime të qarta përçarëse nga persona ende të paidentifikuar.

Në reagimin e tij publik, Tërnava theksoi se një veprim i tillë cenon rëndë vlerat universale humane dhe godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit shqiptar. Ai rikujtoi se shqiptarët historikisht janë njohur për bashkëjetesë, tolerancë dhe mirëkuptim ndërfetar, si dhe për respekt ndaj besimit dhe traditës së njëri-tjetrit.

Myftiu shprehu shqetësimin se kohëve të fundit këto vlera po vihen në shënjestër nga lëvizje që, sipas tij, në emër të një “shqiptarie” të deformuar dhe të ashtuquajturit “kthim në rrënjë”, po promovojnë urrejtje, përçarje dhe dhunë. Ai akuzoi individë dhe grupe të organizuara për përhapje të gjuhës së urrejtjes dhe thirrje për dhunë ndaj shqiptarëve të besimit mysliman, si dhe për cenim të trashëgimisë dhe kulturës islame.

Sipas Tërnavës, kjo propagandë e rrezikshme në disa raste po përkrahet edhe nga persona me pozita publike dhe akademike, gjë që e bën situatën edhe më alarmuese. Djegien e Kuranit në Gjakovë ai e cilësoi si pasojë direkte të ideologjive antishqiptare dhe antiislame që synojnë destabilizimin dhe përçarjen e shoqërisë.

Në fund, Myftiu i Kosovës u bëri thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime të menjëhershme ligjore për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të këtij akti, por edhe të atyre që, sipas tij, nxisin dhe justifikojnë gjuhën e urrejtjes.

About The Author