Dogana sekuestron mbathje të falsifikuara në Ferizaj, vlera mbi 24 mijë euro

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se në Ferizaj janë zbuluar dhe sekuestruar mallra të dyshuara si të falsifikuara, me vlerë mbi 24 mijë euro.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një kontrolli doganor janë identifikuar disa pako të parregullta, të cilat më pas janë numëruar dhe verifikuar nga zyrtarët përkatës. Pas procedurave të kontrollit, është konstatuar se bëhet fjalë për 1,920 palë mbathje sportive me shenjën tregtare Nike dhe 330 palë mbathje sportive me shenjën Adidas.
Përfaqësuesi i subjektit ka pranuar se produktet nuk janë origjinale dhe ka dhënë pëlqimin që ato të asgjësohen, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Mallrat e sekuestruara janë transportuar nën masa sigurie dhe janë vendosur në ruajtje zyrtare në objektet e Doganës.
Sipas vlerësimeve, vlera totale e mallit arrin në 24,300 euro, ndërsa shmangiet nga detyrimet doganore llogariten në mbi 7,200 euro. Dogana njofton se mbathjet sportive, për të rritur dhe fëmijë, dyshohet se ishin të destinuara për tregun vendor.
