Dyshime për manipulim votash: 43 kryesues thirren për intervistim në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të marrë në pyetje 43 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit, pas dyshimeve për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, intervistimet po zhvillohen në komunat Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, ku ekzistojnë dyshime se procesi i numërimit nuk është zhvilluar në përputhje me ligjin.

Hetimi po udhëhiqet nga njësitë rajonale të Policisë së Kosovës në jug dhe veri, me fokus në sqarimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e çdo shkeljeje të mundshme.

Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është bërë e ditur se institucionet përgjegjëse janë të vendosura të garantojnë mbrojtjen e votës së qytetarëve, duke trajtuar çdo rast të dyshuar që mund të cenojë besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Autoritetet kanë ritheksuar se ruajtja e integritetit zgjedhor dhe respektimi i sundimit të ligjit mbeten prioritete kyçe të drejtësisë në Kosovë.

About The Author

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *