E jashtëzakonshme: Vedat Muriqi shpallet lojtari i muajit në La Liga

Vedat Muriqi është shpallur lojtari më i mirë i muajit në La Liga, duke shënuar një moment historik për futbollin kosovar.
Sulmuesi i Mallorcas pati një muaj të jashtëzakonshëm, ku u shqua me paraqitje të nivelit të lartë dhe efikasitet para portës, duke realizuar gjithsej pesë gola. Ai shënoi ndaj Gironas dhe Rayo Vallecanos, ndërsa kulmin e formës e tregoi në përballjen ndaj Athletic Bilbaos, ku kompletoi het-trik në fitoren 3-2.
Falë këtyre paraqitjeve mbresëlënëse, Muriqi u vlerësua nga La Liga si lojtari më i mirë i muajit, duke u bërë futbollisti i parë nga Kosova që fiton këtë çmim prestigjioz në kampionatin spanjoll.
Aktualisht, ylli nga Prizreni renditet si golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga me 14 gola, duke u pozicionuar pas vetëm Kylian Mbappé, çka konfirmon sezonin e tij të shkëlqyer.
