FSK zhvillon kursin “Combat Life Saver” sipas standardeve të NATO-s

Forca e Sigurisë së Kosovës ka realizuar me sukses kursin “Combat Life Saver” në Qendrën e Trajnimeve të Regjimentit të Mjekësisë, në kuadër të Komandës së Logjistikës, me synim ngritjen e kapaciteteve mjekësore të personelit ushtarak në situata luftarake.

Ky kurs është dizajnuar për t’u ofruar pjesëmarrësve njohuri dhe aftësi thelbësore, si në nivel bazik ashtu edhe të avancuar, për dhënien e ndihmës së parë mjekësore në kushte fushëbeteje, duke u bazuar në praktikat dhe standardet e NATO-s.

Gjatë trajnimit, ushtarakët janë përgatitur për menaxhimin e traumave të rënda, kontrollin e gjakderdhjeve, ruajtjen e rrugëve të frymëmarrjes dhe stabilizimin e të plagosurve deri në momentin e evakuimit mjekësor. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar zbatimit të protokolleve taktike të kujdesit para-spitalor, me qëllim sigurimin e ndërhyrjeve të shpejta, të koordinuara dhe efektive.

Përmes këtij kursi, FSK synon rritjen e shkallës së mbijetesës së të plagosurve në terren dhe forcimin e gatishmërisë operacionale të njësive të saj, duke dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj profesionalizmit dhe standardeve ndërkombëtare.

About The Author

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *