Irani paralajmëron SHBA-në: Raketat balistike “në gatishmëri” për çdo sulm

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka bërë të ditur se Teherani mbetet i hapur për një marrëveshje të re bërthamore, me kusht që ajo të njohë natyrën paqësore të programit bërthamor iranian dhe të shoqërohet me heqjen e sanksioneve ndërkombëtare.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të krijonte mundësi reale për bashkëpunim ekonomik, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe projekte të tjera me interes të përbashkët. Araghchi theksoi se Irani nuk e ka përjashtuar asnjëherë SHBA-në nga projektet ekonomike, duke lënë të hapur derën për bashkëpunim nëse arrihet një marrëveshje e drejtë.
Duke folur për situatën e tensionuar në rajon dhe përvojat e mëparshme ushtarake, kryediplomati iranian deklaroi se vendi ka përforcuar ndjeshëm kapacitetet e tij mbrojtëse. Ai u shpreh se Irani ka nxjerrë mësime nga konfliktet e kaluara dhe është më i përgatitur se kurrë.
“Raketat tona balistike janë të gatshme, forcat tona mbeten të paprekura dhe aftësia jonë mbrojtëse është në nivel maksimal”, deklaroi Araghchi.
Ai lëshoi gjithashtu një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se çdo sulm ndaj Iranit do të përballej me një reagim të menjëhershëm dhe shumë të fuqishëm. “Ne jemi plotësisht të aftë të mbrojmë veten dhe nuk kemi nevojë për mbështetje nga askush tjetër”, tha ai.
Deklaratat vijnë në një kohë kur SHBA-ja ka rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dërguar disa aeroplanmbajtëse në rajon, pas ultimatumit të fundit të presidentit amerikan drejtuar Iranit.
