Kërkohen 180 vjet burg gjithsej, vazhdojnë edhe sot deklaratat përfundimtare ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Edhe gjatë ditës së sotme pritet të vazhdojë faza e deklaratave përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Seanca e dytë e kësaj faze vendimtare, në kuadër të gjykimit më të madh që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është paraparë të nisë në orën 09:00. Në seancën e kaluar, prokuroria u përqendrua në prezantimin e argumenteve që lidhen me organizimin dhe funksionimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Prokuroria ka kërkuar dënime prej nga 45 vjet burg për secilin nga të akuzuarit, që në total përbëjnë 180 vjet burgim. Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është bërë e ditur se gjatë seancës së sotme, prokurorëve do t’u nevojiten më pak se dy orë për të paraqitur pretendimet lidhur me përgjegjësitë penale individuale, ndërsa në përmbyllje pritet të flasë kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West.

Kjo fazë përfaqëson momentin e fundit kur prokuroria, ekipet mbrojtëse dhe vetë të akuzuarit mund t’i paraqesin trupit gjykues qëndrimet dhe argumentet e tyre përfundimtare para se çështja të kalojë në vendimmarrje.

Ish-krerët e UÇK-së janë duke u përballur me akuza të ngritura nga ZPS, të cilat ata i kanë mohuar vazhdimisht, duke i cilësuar si të pabazuara. Edhe ekipet mbrojtëse kanë kundërshtuar aktakuzën, duke argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të centralizuar komanduese, siç pretendohet nga prokuroria.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, pas konfirmimit të aktakuzës.

Viti 2026 konsiderohet vendimtar për epilogun e këtij rasti, duke pasur parasysh se katërshja ndodhet në paraburgim tashmë prej pesë vitesh. Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë me staf ndërkombëtar dhe seli në Hagë, ndërsa financimi i tyre bëhet kryesisht nga Bashkimi Evropian. Gjykata u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.

About The Author

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *