KESCO kërkon rritje 21.3% të çmimit të energjisë, Kurti: Qytetarët pëlqejnë të kenë shumë nxehtë

Kompania furnizuese me energji elektrike KESCO ka paraqitur zyrtarisht kërkesë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026, në masën 21.3 për qind.
Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), institucioni përgjegjës që do të vendosë nëse propozimi do të aprovohet apo jo.
Sipas dokumenteve të aplikimit për të hyrat maksimale, pas përllogaritjes së shpenzimeve të parashikuara, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.
Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro. Nëse ZRRE e miraton këtë rritje, ajo do të përbënte shtrenjtimin e tretë të energjisë elektrike brenda katër viteve të fundit.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite të enjten në Qendrën e Inovacionit të Kosovës, ka komentuar mbi konsumin e energjisë për ngrohje, duke theksuar se qytetarët në Kosovë preferojnë temperatura të larta brenda banesave.
“Duhet me menaxhu faktin që po ngrohemi shumë me rrymë. Përveç që ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat nëpër dhoma i kemi dukshëm më të larta se sa që është normale. Kena qejf nxehtë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se menaxhimi i konsumit të energjisë, veçanërisht për ngrohje, është i domosdoshëm, duke theksuar se rritja ekonomike e vendit do të shoqërohet me kërkesë më të madhe për energji elektrike.
Aktualisht, kërkesa e KESCO-s ndodhet në shqyrtim nga ZRRE, e cila pritet të vendosë nëse qytetarët e Kosovës do të përballen me një rritje të re të çmimit të energjisë elektrike në vitin 2026.
