Lëkundjet e mbrëmshme, evakuohen 130 nxënës në Brezovicë

Menaxheri i Qendrës së Skijimit në Brezovicë, Ardian Grazhda, ka deklaruar se situata pas tërmetit të mbrëmshëm është nën kontroll dhe se nuk ka persona të lënduar.
Ai theksoi se në momentin e lëkundjeve në një nga hotelet e zonës po qëndronin rreth 130 nxënës, çka e shtoi ndjeshëm përgjegjësinë dhe shqetësimin e stafit.
Në një prononcim për Klan Kosovën, Grazhda bëri të ditur se të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe se për fat të mirë në vendngjarje ndodheshin edhe pjesëtarë të FSK-së, të cilët ndihmuan në menaxhimin e situatës.
“Fatmirësisht gjithçka është në rregull. Kishim 130 nxënës në hotel dhe menjëherë i kemi evakuuar jashtë. Gjatë gjithë natës kemi qëndruar në gatishmëri, nga frika e ndonjë lëkundjeje tjetër,” u shpreh ai.
Tërmeti, me magnitudë rreth 4.8 sipas shkallës Rihter, goditi zonën Prizren–Shtërpcë rreth orës 22:05 të së martës mbrëma. Lëkundjet u ndjenë në disa pjesë të Kosovës dhe rajonit.
Pas ngjarjes, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare për sigurinë në raste të tërmeteve.
