Lumir Abdixhiku ofron dorëheqjen nga kryesia e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vendosur të ofrojë dorëheqjen nga pozita e kryetarit të partisë gjatë mbledhjes së Kuvendit të LDK-së. Ky hap, sipas tij, është një përgjegjësi morale pas rezultateve të zgjedhjeve dhe një mënyrë për t’u ballafaquar me pritjet, zhgënjimin dhe të ardhmen e partisë.
Në fjalën e tij para delegatëve, Abdixhiku tha se dorëheqja nuk synon shmangien e përgjegjësisë apo krijimin e krizës, por është një veprim për të marrë mbi vete përgjegjësinë politike dhe morale. Ai i ka lënë Kuvendit të vendosë përmes votëbesimit nëse duhet të vazhdojë të udhëheqë partinë.
“Çfarëdo vendimi që merr Kuvendi, unë do ta respektoj me qetësi dhe dinjitet,” tha Abdixhiku, duke shtuar se përgjegjësia për rezultatet i takon atij personalisht. “Përgjegjësia ka një adresë dhe sot kjo adresë jam unë. Prijësi nuk është vetëm ai që del përpara kur gjithçka shkon mirë, por edhe kur duhet të marrë përgjegjësi.”
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e unitetit brenda partisë, duke nënvizuar se LDK ka potencial për t’u ringritur. “Asnjë lider nuk mund të ngritë një parti vetëm. Asnjë strukturë nuk funksionon pa njerëzit e saj, dhe asnjë e ardhme nuk ndërtohet mbi përçarje. Besoj se kjo shtëpi politike ka kapacitetin për të ringritur partinë. Rrugën e kemi bërë njëherë, dhe mund ta bëjmë sërish,” tha ai.
