Mbi 70% e vendvotimeve të rinumëruara, procesi mbyllet në 25 komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të votave po shkon drejt përmbylljes, me mbi 70 për qind të vendvotimeve tashmë të rinumëruara.

Sipas njoftimit zyrtar, në 25 komuna procesi ka përfunduar plotësisht, ndërsa deri më tani janë rinumëruar 1 mijë e 804 vendvotime nga gjithsej 2 mijë e 557 sa janë në nivel vendi.

KQZ sqaron se rinumërimi po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, në bazë të vendimit të marrë për përfshirjen e të gjitha vendvotimeve në këtë proces. Nga fillimi i rinumërimit, më 13 janar 2026 në orën 18:00, e deri më 26 janar 2026 në orën 16:00, është përfunduar rinumërimi i mbi 70 për qind të vendvotimeve. Rezultatet për secilin vendvotim publikohen gradualisht në platformën zyrtare të KQZ-së.

Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt. Pas kësaj faze, dhe pas shqyrtimit të ankesave eventuale, do të pasohet me certifikimin zyrtar të rezultateve.

Vendimi për rinumërimin e plotë të votave u mor pas një analize të rinumërimit të mbi 500 vendvotimeve, e cila tregoi se ndryshimet në votat e subjekteve politike ishin minimale. Megjithatë, për kandidatët individualë u konstatuan pasaktësi të mëdha në numërim, çka ngriti dyshime serioze mbi procesin fillestar.

Raste të theksuara devijimesh janë evidentuar në komunën e Prizrenit, ku rinumërimi ka rezultuar me mbi 45 mijë vota të shtuara ose të hequra nga kandidatët. Veçanërisht është prekur Partia Demokratike e Kosovës, ku kandidati për deputet Fetah Paçarizi ka rezultuar me mbi 6 mijë vota më pak pas rinumërimit.

Në lidhje me këto parregullsi, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ndërmarrë veprime konkrete, duke zhvilluar një aksion të premten që rezultoi me arrestimin e 109 personave.

About The Author