OBSH: Virusi “Nipah” nuk pritet të përhapet jashtë Indisë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se rreziku që virusi vdekjeprurës “Nipah” të përhapet përtej kufijve të Indisë është i ulët, duke theksuar se nuk ka nevojë për kufizime udhëtimesh apo tregtie.
Sidoqoftë, disa vende aziatike, përfshirë Hong-Kongun, Malajzinë, Singaporin, Tajlandën dhe Vietnamin, kanë forcuar këtë javë kontrollet në aeroporte për të parandaluar një përhapje të mundshme, pas konfirmimit të dy rasteve në Indi.
“Rreziku i përhapjes së mëtejshme nga këto dy raste konsiderohet i ulët. Nuk ka ende prova që transmetimi nga njeriu te njeriu po rritet,” tha OBSH, duke shtuar se India ka kapacitet të menaxhojë shpërthime të tilla.
Megjithatë, OBSH paralajmëron se rreziku i ekspozimit nuk mund të përjashtohet, pasi virusi qarkullon te lakuriqët e natës në disa rajone të Indisë dhe të Bangladeshit fqinj.
Virusi “Nipah” transmetohet kryesisht nga lakuriqët e natës dhe kafshët, si derrat, dhe mund të shkaktojë ethe dhe inflamacion të trurit. Shkalla e vdekshmërisë varion nga 40% deri në 75%, dhe aktualisht nuk ekziston asnjë kurë, megjithëse disa vaksina janë në faza testimi.
Transmetimi te njerëzit ndodh zakonisht nga kontakti me lakuriqët e natës të infektuar ose frutat e tyre, ndërsa transmetimi nga njeriu te njeriu është i vështirë dhe kërkon kontakt të afërt dhe të zgjatur.
