Pjesëtarë të FSK-së padisin Ministrinë e Mbrojtjes për orë kujdestarie të papaguara

Dhjetëra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë edhe zyrtarë me grada të larta, kanë ndërmarrë veprime ligjore ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, duke kërkuar kompensim financiar për orët shtesë të kujdestarisë që, sipas tyre, nuk u janë paguar për një periudhë të gjatë kohore.
Sipas informacioneve nga burime të afërta me rastin, paditë kanë të bëjnë me angazhime jashtë orarit zyrtar të punës, përfshirë shërbimet e detyrueshme të kujdestarisë, të cilat dyshohet se nuk janë trajtuar në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
Burimet theksojnë se, pavarësisht strukturës hierarkike dhe natyrës së veçantë të shërbimit ushtarak, e drejta për kompensim për orët shtesë të punës është e garantuar me ligj dhe duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë pjesëtarët e FSK-së.
Rasti pritet të trajtohet nga institucionet përkatëse të drejtësisë, ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes lidhur me këto pretendime.
