Prokuroria Speciale interviston edhe Fitore Pacollin për grantet në Ministrinë e Bujqësisë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ka intervistuar deputeten e zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në lidhje me çështjen e granteve në Ministrinë e Bujqësisë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta, ka bërë të ditur se Pacolli është intervistuar në cilësinë e të pandehurës. Ajo ka qenë më herët kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
Në kuadër të të njëjtit rast, sot është intervistuar gjithashtu edhe ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, po ashtu në cilësinë e të pandehurit. Nga Prokuroria Speciale kanë konfirmuar se rasti i granteve vazhdon të jetë në trajtim.
Pas intervistimit, Peci ka reaguar publikisht duke deklaruar se ka dhënë sqarimet e tij në Prokurori dhe ka paralajmëruar se do t’u drejtohet organeve të drejtësisë me kallëzim penal ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ish-deputeti i LDK-së, Paris Guri.
“Kam qenë transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me rolin tim si ministër në procesin e ndarjes së granteve”, ka shkruar Peci në reagimin e tij.
Ndërkohë, gjatë ditës, edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka konfirmuar se është intervistuar nga Prokuroria Speciale, pa dhënë detaje për rastin apo cilësinë në të cilën është marrë në pyetje.
Hetimet e Prokurorisë Speciale lidhur me këtë çështje janë ende në vazhdim.
