Rizvanolli: Ende s’ka vendim për rritjen e çmimit të energjisë, kërkesa e KESCO-s është në shqyrtim

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj paralajmërimeve për rritje të tarifave të energjisë elektrike, duke sqaruar se aktualisht nuk ekziston asnjë vendim për shtrenjtim të rrymës, por vetëm një kërkesë e dorëzuar nga KESCO dhe operatorët përkatës në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Rizvanolli theksoi se informacionet e publikuara ditëve të fundit lidhen me kërkesën për rritje prej 21 për qind, e jo me një vendim të marrë nga institucionet përgjegjëse. Sipas saj, çdo vendim eventual do të merret vetëm pasi ZRRE të publikojë raportin konsultativ dhe të përfundojë procesin e vlerësimit.
Ajo nënvizoi se sektori i energjisë po përballet me zhvillime të rëndësishme, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në furnizim dhe kosto. Sipas Rizvanollit, në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë nisur investime të mëdha në modernizim dhe rehabilitim, të parat pas më shumë se katër dekadash, çka ka kërkuar ndalje të përkohshme të disa blloqeve prodhuese.
“Për disa vite do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse këto investime janë të domosdoshme për sigurinë afatgjatë energjetike. Ndalja e blloqeve për rehabilitim ka rritur nevojën për import të energjisë”, deklaroi ajo.
Ministrja shtoi se rritja e importit nuk është pasojë e keqmenaxhimit, por rezultat i investimeve të domosdoshme që synojnë stabilitet afatgjatë për gjeneratat e ardhshme.
Sa i përket tarifave, Rizvanolli theksoi se ZRRE do të vlerësojë shpenzimet e paraqitura nga operatorët dhe do të vendosë nëse ato janë të arsyeshme, ndërsa institucionet dhe palët e interesuara do të kenë mundësi të japin komente gjatë fazës së konsultimit publik.
Deklaratat e saj u bënë gjatë ceremonisë së përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë.
Ndërkohë, paralajmërimet për rritje të çmimit të energjisë kanë nxitur reagime edhe nga shoqëria civile. Disa grupe aktivistësh kanë bërë thirrje për protestë, e cila pritet të mbahet të premten, duke nisur nga ndërtesa e KEDS-it dhe duke vazhduar drejt Qeverisë së Kosovës.
ZRRE aktualisht ndodhet në proces shqyrtimi të kërkesës së KESCO-s për rritjen e tarifave për 21 për qind.
