Rutte: NATO pret përgjegjësi nga Beogradi për Banjskën dhe sulmet ndaj KFOR-it

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka përsëritur se aleanca pret nga autoritetet në Serbi që të marrin përgjegjësi të plotë për ngjarjet e dhunshme të ndodhura në Kosovë, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë si dhe incidentet ndaj trupave të KFOR-it gjatë tensioneve të pranverës së vitit 2023.

Duke folur para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Rutte theksoi se, pavarësisht marrëdhënieve personale që ka me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, pritjet e NATO-s mbeten të qarta. Ai deklaroi se Beogradi duhet të sqarojë përgjegjësinë për dy raste madhore, për të cilat, sipas tij, janë dhënë edhe premtime për zbardhje të plotë.

Në adresimin e tij, kreu i NATO-s riafirmoi mbështetjen për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar atë si rrugën e vetme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Rutte vuri gjithashtu theksin te angazhimi i vazhdueshëm i NATO-s për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ai nënvizoi se aleanca nuk do të lejojë krijimin e një boshllëku të sigurisë, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë, duke e konsideruar rajonin si strategjik për sigurinë evropiane.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë intensifikuar vitet e fundit, ndërsa ngjarja më e rëndë u shënua në shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Atje, një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë një rreshter, ndërsa gjatë përleshjeve që pasuan humbën jetën edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Millan Radoiçiq, politikan dhe biznesmen nga Kosova, i cili aktualisht ndodhet në Serbi. Deri më tani, ndaj tij nuk është ndërmarrë ndjekje penale.

Ngjarjet e Banjskës u paraprinë nga protesta të dhunshme në veri të Kosovës gjatë muajit maj të vitit 2023. Në përleshjet në Zveçan, mbi 90 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, mbetën të lënduar, disa prej tyre rëndë.

Dhuna shpërtheu pas kundërshtimeve të serbëve lokalë ndaj hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, pas zgjedhjeve lokale të bojkotuara nga komuniteti serb.

Për incidentet në Zveçan, dhjetëra persona janë arrestuar dhe akuzuar, ndërsa një pjesë e tyre janë dënuar me burg pas marrëveshjeve për pranimin e fajësisë. NATO-ja ka kërkuar vazhdimisht që të gjithë përgjegjësit, si për sulmin në Banjskë ashtu edhe për dhunën ndaj trupave të KFOR-it, të përballen me drejtësinë.

About The Author