Ushtria e Kosovës në provën finale

Ndryshimet politike dhe rotacionet në udhëheqje nuk e kanë ndalur një proces që ka ecur me vazhdimësi në Kosovë: ndërtimin e ushtrisë. Në një realitet politik shpesh të polarizuar, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet një nga projektet e rralla shtetërore që ka gëzuar konsensus institucional dhe vazhdimësi strategjike.Kjo qasje e përbashkët ka mundësuar një tranzicion të qëndrueshëm, investime të planifikuara dhe harmonizim të vazhdueshëm me standardet e NATO-s. Sipas gjeneralit në pension, Naim Haziri, i cili ka qenë dëshmitar i disa fazave të zhvillimit të FSK-së, forca sot funksionon mbi doktrina bashkëkohore ushtarake dhe ka kapacitete reale për t’iu përgjigjur sfidave aktuale të sigurisë.Ai vlerëson se transformimi në ushtri të plotë pritet të përfundojë deri në vitin 2028, në përputhje me planin fillestar dhjetëvjeçar. Sipas tij, aktualisht fokusi është në zhvillimin e kapaciteteve ajrore dhe forcimin e regjimenteve luftarake me struktura mbështetëse operative, duke e afruar FSK-në drejt kapaciteteve të plota operacionale dhe ndërveprueshmërisë me ushtritë e NATO-s.Procesi formal i transformimit nisi në vitin 2018, kur Kuvendi i Kosovës miratoi paketën ligjore për shndërrimin e FSK-së në ushtri. Në atë kohë, NATO e konsideroi hapin të papërshtatshëm për momentin, duke përmendur tensionet me Serbinë, ndërsa Shtetet e Bashkuara e mbështetën fuqishëm, duke e cilësuar si një moment historik për Kosovën.Atëkohë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi theksonte se ushtria është produkt i një shekulli sakrificash dhe garantonte se ajo do t’u shërbente të gjithë qytetarëve pa dallime etnike. I njëjti diskurs institucional është ruajtur edhe gjatë presidencës së Vjosa Osmanit, e cila ka theksuar rolin e FSK-së në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.Megjithatë, FSK-ja ende operon me kufizime në veri të Kosovës, ku çdo angazhim kërkon miratim nga KFOR-i. Ky obligim rrjedh nga një zotim i vitit 2013 dhe mbetet ende në fuqi. Presidenca e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje nëse po shqyrton heqjen e këtij kufizimi në prag të përfundimit të transformimit në ushtri.Nga ana e NATO-s, është konfirmuar se përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës, aleanca ka mbështetur zhvillimin e FSK-së përmes trajnimeve, edukimit dhe ndërtimit të kapaciteteve, ndonëse theksohet se zgjidhjet afatgjata për sigurinë mbeten politike.FSK-ja ndër vite ka qenë e angazhuar në misione humanitare, trajnuese dhe paqeruajtëse jashtë vendit. Së fundmi, është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e saj në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, me autoritetet që po shqyrtojnë format e kontributit.Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-ja tashmë ka arritur kuotën prej 5.000 trupash aktive, ndërsa komponenti rezervë prej 3.000 pjesëtarësh mbetet ende për t’u plotësuar. Armatimi dhe pajisjet, ndonëse jo tërësisht publike, përfshijnë mjete të blinduara dhe dronë, të siguruara në bashkëpunim me partnerë si SHBA-ja, Turqia, Britania e Madhe dhe disa shtete evropiane.Buxheti i mbrojtjes ka shënuar rritje të ndjeshme, duke u trefishuar brenda pak vitesh, ndërsa Strategjia e Sigurisë 2022–2027 e identifikon Serbinë si kërcënimin kryesor për sigurinë kombëtare të Kosovës.Kundërshtimi nga Beogradi ka qenë i vazhdueshëm, i shoqëruar me retorikë kërcënuese dhe rezistencë në mesin e komunitetit serb në veri, tensione që kulmuan me sulmin e armatosur në Banjskë në vitin 2023.Gjenerali Haziri thekson se përveç kërcënimeve ushtarake, Kosova përballet edhe me rreziqe hibride, përfshirë sulmet kibernetike, por vlerëson se FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme për mbrojtje. Ai, megjithatë, nënvizon nevojën për investime më të mëdha në mirëqenien e personelit, duke e konsideruar atë faktor kyç për motivimin dhe gatishmërinë operacionale.Sipas të dhënave zyrtare, braktisjet nga FSK-ja kanë shënuar rritje vitet e fundit, ndërsa integrimi i komuniteteve, veçanërisht atij serb, mbetet sfidues për shkak të presioneve dhe kërcënimeve.Megjithatë, autoritetet e Kosovës dhe ekspertët ushtarakë mbeten optimistë se, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe përmbushjen e standardeve të NATO-s, FSK-ja është në rrugën e duhur për t’u shndërruar në një ushtri funksionale dhe të besueshme, me synim afatgjatë anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike.

About The Author

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *