Zyrtare: KQZ certifikon zgjedhjet, Kosova drejt institucioneve të reja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar zyrtarisht të hënën, më 9 shkurt 2026, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë më 25 dhjetor 2025.

Vendimi për certifikim është marrë me 11 vota pro nga anëtarët e KQZ-së, duke i dhënë fund procesit zgjedhor dhe duke hapur rrugën për konstituimin e institucioneve të reja shtetërore.

Certifikimi u bë pasi Gjykata Supreme hodhi poshtë si të pabazuara gjashtë ankesat e fundit të paraqitura lidhur me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.

Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë e parë politike, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për komunitetet joshumicë, 10 i takojnë komunitetit serb. Dy mandate janë fituar nga Partia Turke Demokratike e Kosovës, ndërsa nga një ulëse kanë siguruar partitë VAKAT, Unioni Social Demokrat, Partia e Re Demokratike, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Partia e Bashkuar Gorane.

Procesi i certifikimit ishte vonuar për shkak të vendimit të KQZ-së për rinumërimin e votave në nivel vendi, pas dyshimeve për parregullsi në numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.

Si pasojë e këtyre dyshimeve, autoritetet kanë arrestuar dhjetëra persona përgjegjës të qendrave të numërimit në disa komuna të Kosovës, ndërsa hetimet lidhur me manipulimet e mundshme janë ende në vazhdim.

About The Author

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *